e Martë, 26 Shtator 2017 | Lajme: 0

Liderët politik shqiptarë të Maqedonisë, urojnë pavarësinë e Kosovës

Politikanë dhe intelektualë të Maqedonisë, kanë uruar sot Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

-Në këtë Ditë të Pavarësisë së Kosovës, kam kënaqësinë e veçantë që në emër të të gjithë ne pranë Bashkimit Demokratik për Integrim, të përcjell urimet më të ngrohta e vëllazërore bashkëkombasve tanë në Kosovë dhe gjithandej.Kujtoj me përulësi heronjtë e UÇK-së dhe shpreh mirënjohje dhe respekt pa fund për patriotizmin, atdhedashurinë, sakrificën dhe kontributin e madh të brezave të tërë. Ne, motra dhe vëllezër tuaj, do të qëndrojmë gjithmonë pranë jush dhe me ju në çdo sakrificë, në çdo sfidë dhe në punën tonë të përbashkët drejt integrimit të plotë euro-atlantik. Sot dhe përgjithmonë, ne jemi bashkë,  ka uruar Ali Ahmeti

Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Menduh Thaçi i uron presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafës dhe  kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ditën e pavarësisë.

 -Në këtë përvjetor të rëndësishëm për mbarë kombin Shqiptar, gëzohemi për Kosovën si shtet i pavarur dhe urojmë, që Kosova të përparojë drejt integrimit të plotë euro-atlantik dhe në ndërtimin e një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kam kënaqësinë e veçantë që në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare të Ju uroj juve dhe gjithë shqiptarëve që këtë ditë ta kremtojmë me krenari dhe me bindje të plotë drejt progresit dhe integrimeve euroatlantike”, ka uruar Menduh Thaçi.

Po ashtu, në emër të Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe në emrin e tij personal, Vesel Memedi ka shprehur urimet më të ngrohta për popullin e Kosovës.

-Në emër të Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe në emrin tim personal, shpreh urimet më të ngrohta për popullin e Kosovës dhe për shqiptarët në përgjithësi që festojnë këtë ditë monumentale, ditën e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës është shtet i ri, por ky vend ka një histori që është shënuar në një gurë dhe vazhdon të ngeli gjallë në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve kudo qofshin. Ky është vend i një sakrifice të madhe, në këtë vend e dhanë jetën shumë njerëz që luftuan për liri, në këtë vend janë burgosur shumë njerëz që luftuan për liri, në këtë vend lindën njerëz me arritje të mëdha profesionale, dhe gjith këta njerëz nuk kërkuan asgjë tjetër përpos të shohin liri në gjeneratat e sodit dhe atyre që do të vijnë pas. Të arriturat e Republikës së Kosovës që festohen sot, qëndrojnë mbi supet e gjithë këtyre njerëzve. Kosova ka dhënë një kontribut të madh jo vetëm për shqiptarët që jetojnë brenda shtetit, por edhe shqiptarëve anembanë botës për zhvillimin e tyre kulturor, demokratik dhe ekonomik. Për shkak të kësaj sakrifice të përmasave të mëdha brenda dhe jashtë shtetit, liderët e shtetit të Kosovës duhet të bëjnë çmos që ky vend i sakrificës të tregojë urtësi të lartë udhëheqje me qëllim të ballafaqimit sa më të mirë me sfidat e kohës që e presin vendin dhe rajonin në përgjithësi. Nuk ka dilemë se liderët e Kosovës kanë kapacitet të mjaftueshëm të ballafaqohen me sfidën e radhës të ballafaqimit me të vërtetën, një sfidë që duhet ta tejkaloj jo vetëm shteti i Kosovës, por i tërë rajoni i Ballkanit perëndimorë. Për hir të një sakrifice shekullore, duhet bërë çmos që të krijohen kushte sa më të mira për gjithë popullin e Kosovës, dhe ne besojmë se e vërteta do ta çlirojë Kosovën përfundimisht, thuhet në urimin nga RDK-ja.

“Qofshi gjithmonë të pavarur Kosovë. Zoti e mbushtë këtë ditë për ju dhe për ne me shpirt patriotik. Më lejoni t’ju uroj dhe dëshiroj edhe shumë përvjetorë të tjerë në liri, paqe e prosperitet. Gëzuar nëntë vjetorin Republika e Kosovës”, përfundon urimi për Pavarësinë e Republikës së Kosovës nga kryetari Memedi.

Urimeve për Pavarësinë e Kosovës, i janë bashkangjitur me urimet e tyre edhe kreu i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi si dhe rektori i Universitetit të Tevovës Prof. Dr. Vullnet Ameti.