e Shtunë, 25 Mars 2017 | Lajme: 0

Hetrixh e renditi Maqeodninë si vend i lirë ekonomik, në vendin e 31-të në botë

Maqedonia u ngjit në vendin e 31-të në indeksin e lirisë ekonomike të fondacionit amerikan Hetrixh dhe hyri në kategorinë e shteteve të lira. Raporti tregon ngjitje të konsiderueshme të Maqedonisë në afat prej një vitit, prej vendit të 47-të në vendin e 31-të, derisa vlerësimi është përmirësuar në 70.7 pikë.

Me këto rezultate, Maqedonia është vendi i vetëm në Ballkan i cili u gjend në kategorinë e shteteve kryesisht të lira në Evropë, në shoqërim të Gjermanisë, Çekisë, Austrisë dhe Armenisë. Në raportet paraprake Maqedonia u vlerësua si shtet mesatarisht i lirë.

Fondacioni kryesues konservativ amerikan Hetrixh çdo vit i rendit shtetet sipas kritereve të cilat nënkuptojnë liri të ekonomisë, e cila është kyçe për prosperitetin e shtetit. Raporti i vlerëson shtetet sipas katër kategorive –  sundimit të së drejtës, madhësisë së aparatit shtetëror dhe borxhit, efikasitetit të regjimit rregullator dhe lirisë së tregtisë.

Maqedonia zakonisht vlerësimet më të larta i merr në garantimin e qasjes së lirë deri te tregu i tyre dhe hapje për tregti me shtetet tjera, tatimet dhe uljen e pengesave rregullator për zhvillim të biznesit. Vlerësimin më të mirë në raport Maqedonia e merr për normën e ulët tatimore – 91,9 pikë. Vlerësimi për madhësinë e shtetit dhe borxhit shtetëror gjithashtu është mbi mesataren, me theksim se borxhi është në nivel të 38.6 për qind nga BPV, ndërsa shpenzimi qeveritar arrin 32,2 për qind.

133572216

Vlerësimet për sundimin e së drejtës Maqedonisë i sjellin 67 pikë për respektimin e së drejtës së pronësisë, 52 pikë për integritet të Qeverisë dhe 61,4 pikë për efikasitet në gjyqësi.

Nga shtetet fqinje , Kosova dhe Bullgaria janë më mirë të plasuara në vendin e 46 dhe 47 në botë, Shqipëria është në vendin e 65-të, Serbia 99-të, ndërsa Greqia është në vendin 127-të.

Raporti është shënuar me atë që SHBA-ja ka rënë në vendin e 17-të, dhe për herë të parë nuk janë mes 15-të shteteve të para, që sipas Fondacionit Hetrixh është rezultat i deficitit të lartë buxhetor dhe borxhit, rolit të rritur të shtetit në ekonomi dhe pengesave rregullator në rritje për zhvillim të biznesit.

Ekonomikisht shtete më të lira sipas indeksit janë Hong Kongu, Singapori. Zelanda e Re, Zvicra dhe Australia të cilat të vetmet janë të kualifikuara në kategoritë më të larta. Në fund janë shtetet komuniste si Koreja Veriore, Venezuela dhe Kuba, ndërsa vendet e përfshira nga luftërat si Iraku, Libia, Siria dhe Somalia nuk janë renditur.