e Dielë, 28 Maj 2017 | Lajme: 0

Aleatët e fuqishëm të Edi Ramës: Pse ambasadorët e BE dhe SHBA heshtin për plantacionet me drogë dhe korrupsionin në Shqipëri

Është me të vërtetë e çuditshme që dy ambasadorët e BE dhe SHBA në Tiranë, Romana Vlahutin dhe Donald Lu, heshtin kur bëhet fjalë për plantacionet me drogë, trafikun e lëndëve narkotike dhe korrupsionin, shkran javorja  New Europe.

Artikulli i titulluar “Aleatët e fuqishëm të Edi Ramës”  i kushton vëmendje situatës aktuale në Shqipëri dhe  lidhjet e ngushta me ambasadorët Romana Vlahutin dhe Donald Lu.

Pas raportimit tonë javën e kaluar lidhur me çështjen e korrupsionit të dyshuar me fondet e BE-së, ne e zgjeruam rrethin e hetimeve, duke zbuluar detaje interesante dhe shumë të çuditshme rreth asaj që po ndodh në Shqipëri.

Shqipëria ka pasur një proces demokratizimi të gjatë dhe të dhimbshëm që nga koha kur regjimi komunist kapitulloi rreth njëzet e pesë vjet më parë. Pavarësisht plagëve që i shkaktoi vendit regjimi totalitar më i ashpër në Evropë, Shqipëria ia ka dalë relativisht mbanë në përpjekjet e veta për t’u shndërruar në një vend demokratik modern.

Sistemi politik pluralist funksionon dhe Parlamenti i zgjedhur në mënyrë demokratike voton ligjet. Të drejtat civile dhe njerëzore janë zyrtarisht të respektuara. Pikërisht për këto arsye, Shqipëria është anëtare e NATO-s, i vetmi vend me shumicë myslimane pas Turqisë. Është gjithashtu vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Por lajmi i mirë mbaron këtu!

-Partia Socialiste e Edi Ramës, që është në pushtet, akuzohet për korrupsion të lartë dhe për mbështetjen e trafikantëve të drogës. Partia është akuzuar gjithashtu për përdorimin e metodave jodemokratike për të qëndruar në pushtet. Para pak kohësh reforma e diskutueshme e sistemit gjyqësor u votua unanimisht në Kuvend, pas rezistencës së ashpër nga partitë opozitare lidhur me pasojat e ndryshimeve në fushën e drejtësisë, thuhet në artikull.

Duke iu referuar dy artikujve të botuar në “Huffington Post” dhe “The Washington Times” si edhe disa burimeve të tjera, duket se ekziston një përpjekje e përbashkët në Shqipëri nga interesa të caktuara për të mbështetur Kryeministrin aktual Edi Rama në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të qershorit 2017. Nuk është sekret fakti se Qeveria Rama përdor këshillat e çmuara të Fondacionit për Shoqërinë e Hapur. Ndërkaq, duket se një bashkëpunim i dyshimtë është vendosur midis qeverisë dhe ambasadorit të SHBA-ve në Shqipëri, Donald Lu.

-Qeveria e Edi Ramës është akuzuar për lidhje të errëta me trafikantët e drogës. Autoritetet e drejtësisë në vend kanë hapur një hetim, që partia në pushtet po përpiqet ta ndalojë. Duke qenë se një numër i konsiderueshëm gjyqtarësh po bëjnë rezistencë, duke bërë detyrën e tyre, përpjekjet e qeverisë deri më tani për të bllokuar apo devijuar hetimin kanë dështuar, vë në dukje analiza.

Në këtë pikë Ambasadori amerikan hyn në lojë! Me një lëvizje të vrullshme ai u revokoi vizat amerikane rreth 70 gjykatësve dhe prokurorëve, që të gjithë të përfolur si të afërt me partinë kryesore opozitare. Shpjegimi zyrtar i Ambasadës se SHBA-ve ishte se zyrtarët nuk përmbushin kushtet për t’u pajisur me vizë amerikane. Gjithsesi, është interesant fakti që asnjë nga gjyqtarët dhe prokurorët e njohur si të afërt me Partinë Socialiste nuk ka pasur një problem të ngjashëm me vizat.

Por ndërhyrja e Ambasadorit të SHBA-ve nuk u ndal me kaq. Ai akuzoi haptazi Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për pengimin e reformës në drejtësi. Sipas një letre, që Prokurori i Përgjithshëm i dërgoi Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Kuvendit, Ambasadori amerikan e ka kërcënuar me “pasoja personale dhe institucionale”.

-Është me të vërtetë e çuditshme që dy ambasadorët e BE dhe SHBA në Tiranë, Romana Vlahutin dhe Donald Lu, heshtin kur bëhet fjalë për plantacionet me droge, trafikun e lëndëve narkotike dhe korrupsionin, qëndron në artikull.

A janë të vërteta dyshimet për një lidhje mes Sorosit, qeverisë dhe ambasadorëve? Nuk është sekret fakti që bashkëshorti i Romana Vlahutinit është gjithashtu në bordin e Fondacionit Soros në Bosnjë, duke qenë gjithashtu mjaft aktiv në fushatën kundër Donald Trump; sipas raportimeve Soros ka përfituar nga BE-ja dhe tenderat qeveritare në Shqipëri. Disa diplomatë të huaj në Tiranë, (duke folur në kushte anonimiteti për “New Europe”) kanë shprehur pakënaqësitë e tyre kundrejt Romana Vlahutin lidhur me mungesën e transparencës në menaxhimin e fondeve të BE-së që janë caktuar për t’u shpenzuar në Shqipëri.

E megjithatë ka ende shpresë, shkruhet në artikull.  Lajm i mirë në të gjithë këtë situatë është se shefi i EURALIUS-it (Misioni i Asistencës Evropiane për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë) është larguar nga ky post dhe është kthyer në shtëpi, pasi kishte bërë një “gabim” në përkthimin e ligjit për Vetting-un.

Nëse ky “gabim” nuk do të ishte raportuar nga Opozita dhe lideri i saj Lulzim Basha, komuniteti ndërkombëtar do të kishte certifikuar zbatimin e reformës në sistemin gjyqësor në një mënyrë që do t’i jepte fuqi absolute Edi Rama.