e Mërkurë, 29 Mars 2017 | Lajme: 31

Theresa May kërkon marrëveshje me Brukselin, Angela Merkel përgjigjet

Kryeministrja Theresa May, një ndër mbështetëset e Brexit, vazhdimisht përpiqet që të qetësojë britanikët duke deklaruar se synon arritjen e një marrëveshjeje me Brukselin për të siguruar në maksimum si kontrollin kufitar, ashtu edhe tregtinë e lirë me Bashkimin Europian për kompanitë britanike.

“Vota e 23 qershorit të kaluar ishte e qartë. Njerëzit duan nga ne që të marrim kontrollin e kufijve dhe të njerëzve që vijnë këtu nga Bashkimit Europian. Por ne po përpiqemi gjithashtu për ujdinë më të mirë për tregtinë dhe aksesin në tregun e përbashkët europian për kompanitë britanike”, deklaroi May.

Por këto deklarata të kryeministres britanike kanë marrë një sinjal të fortë nga Berlini. Angela Merkel, duke folur nga Këlni, përjashtoi mundësinë që Britania e Madhe të ketë akses të plotë në tregun e përbashkët të BE-së pa lëvizjen e lirë.

“Zgjedhja nuk mund të jetë e njëanshme. Duhet ta bëjmë të qartë se aksesi në tregun e përbashkët vjen vetëm me kushtin e respektimit të katër elementeve bazë të lirisë, në të kundërt ne duhet të flasim për kufizim të aksesit”, tha Merkel.

Qershorin e vitit të kaluar britanikët votuan në referendum për daljen nga Bashkimi Europian dhe procesi ka nisur tashmë, ku palët po negociojnë për detajet dhe një ndër shqetësimet më të mëdha të britanikëve është qasja që do të kenë në tregun e përbashkët europian pas daljes nga unioni.