e Martë, 27 Qershor 2017 | Lajme: 7

Nata më e begatë – Nata e Kadrit

“Ne e zbritëm atë (Kur’anin) Natën e Kadrit. E ku di ti ç’është Nata e Kadrit. Nata e Kadrit është më e dobishme se njëmijë muaj. Atë natë zbresin engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili) me lejen e Zotit të tyre për çdo çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit” (Kadr, 1-5).

Fjala “kadr” do të thotë “fuqi, sundim, nder, vlerë”. Ky përgëzim hyjnor është aq i qartë dhe i fortë në Kur’an, sa nuk lë vend për asnjë koment tjetër. Si rrjedhojë, ky është edhe një argument tepër i fuqishëm për vlerën e lartë të kësaj nate. Në një ajet tjetër Zoti Fuqiplotë përmend natën në të cilën është zbritur Kur’ani, duke thënë: “Ne ta zbritëm atë në një natë të bekuar. Ne deshëm t’u tërheqim vërejtjen, e njerëzit të jenë të gatshëm” (Duhan, 3).

Kur flasim për natën e Kadrit, duhet të parafytyrojmë një natë të qetë në muajin e Ramazanit, në të cilën profeti Muhamedi a.s. meditonte i vetëm në shpellën Hira duke iu lutur Zotit që ta drejtonte dhe t’i tregonte rrugën e drejtë. Atë natë i zbriti kryeengjëlli Xhebrail dhe kumtoi urdhrin: “Lexo me emrin e Zotit që të krijoi…” (Alak, 1-5). Allahu në këtë natë e zbriti Kur’anin famëlartë nga Leuhi Mahfudhi (pllaka e ruajtur mirë tek i Madhi Zot) për në Bejtul Izeh, që është në qiellin e dynjasë. Kurani i Shenjtë pra, filloi t’i zbriste Pejgamberit natën e Kadrit dhe më pas sipas kohës dhe situatës vazhdoi t’i zbriste pjesë-pjesë për afro 23 vite. Kjo natë nderohet e çmohet për arsye se në të ka filluar të zbresë Kur’ani. Ata që e përcjellin Kur’anin në gjokset e tyre dhe punojnë sipas tij do të jenë të nderuar e të shpëtuar ngaherë.

Nata më e vlefshme se njëmijë muaj

Kjo natë e madhe ka mirësi të pakrahasueshme me asnjë natë tjetër të zakonshme, ngase vetë Zoti nëpërmjet ajetit kuranor ka pohuar se ajo është më e mirë se njëmijë muaj (rreth 83 vjet). Në këtë natë zbresin engjëjt në qiellin e dynjasë, në tokë e rreth njerëzve, ashtu siç zbresin edhe kur njerëzit grumbullohen për të marrë dije të dobishme dhe për të lexuar Kur’anin. Er-Ruhu është Xhibrili, i cili zbriti me Kur’anin, kurse melekët e tjerë zbritën me të mirat e Allahut në tokë. Pra, me këtë ne kuptojmë se përveç Kur’anit, melekët zbresin me detyrë të caktuar dhe secili prej tyre kryen misionin e vet, me të cilin është ngarkuar nga Krijuesi i Lartë.

Kjo natë karakterizohet nga një qetësi admiruese, njerëzit janë më të qetë dhe më të prirur për punë të mira. Në këtë natë nuk zbret asgjë tjetër, përveç asaj që është mirësi dhe paqe. Nëse njerëzit do të zbatonin atë që ka zbritur në natën e Kadrit dhe do ta bënin program jete, atëherë në gjithë botën dhe gjithnjë do të mbizotëronte paqja, mëshira dhe begatia. Paqja zbriti natën e Kadrit, por janë njerëzit që nevojiten ta zbatojnë atë.

Koha e Natës së Kadrit

Koha e saktë dhe e prerë e natës së Kadrit nuk dihet. Allahu e ka fshehur këtë natë që robërit e Tij ta kërkojnë dhe të përpiqen me insistim për të kryer sa më shumë adhurime. Një ndër rrëfimet më të zgjeruara rreth kësaj teme na e përcjell sahabi i nderuar Ebu Said el-Hudri r.a. Ai tregon: Pejgamberi bëri itikaf në dhjetë ditët e para të Ramazanit. Më pas në dhjetëditëshin e mesëm të muajit bëri itikaf nën një çadër të bërë me lëkurë dhie. Në vend të derës së çadrës ndodhej një hasër. I dërguari i Zotit a.s. e mori hasrën dhe e vendosi në një cep të çadrës. Më pas nxori kokën dhe iu drejtua njerëzve që ndodheshin në xhami. Populli u afrua nga ai. Ai i tha: “Unë, duke kërkuar natën e Kadrit bëra itikaf në dhjetëditëshin e parë. Më pas e vazhdova itikafin edhe në dhjetëditëshin e mesëm të muajit. Më erdhi engjëlli dhe më njoftoi se Nata e Kadrit ndodhet në dhjetëditëshin e fundit. Ata që kanë qenë në itikaf me mua deri tani, nëse duan, le ta vazhdojnë itikafin edhe në këto dhjetë të fundit” (Muslim, Sijam, 215). Prandaj në shumë vende myslimane besimtarët e devotshëm dhjetë netët e fundit të Ramazanit i kalojnë në xhami (itikaf) duke u falur e duke u lutur, si dhe duke kënduar e studiuar Kur’anin, që kështu të jenë të gatshëm ta presin natën e Kadrit, që sipas fjalëve të Profetit duhet të jetë në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të të Ramazanit. “…Ju kërkojeni atë në netët teke të dhjetë ditëve të fundit” (Muslim, Sijam, 212).

Nga sahabet e nderuar, Ubej bin Ka’b tregon se vëllai i tij e ka rastisur Natën e Kadrit në natën e 27 të muajit, dhe e ka vërtetuar këtë duke u nisur nga shenjat që kishte dhënë Profeti a.s. rreth asaj nate (Muslim, Sijam, 220). Në përgjithësi disa sahabë dhe dijetarë myslimanë janë të mendimit se nata e Kadrit bie në natën e 27 të muajit të bekuar të Ramazanit dhe për këtë arsye e gjithë bota myslimane e nderon këtë natë në këtë datë.

Ashtu siç u vërejt edhe në hadithet e transmetuara, ka më shumë gjasa që Nata e Kadrit të jetë në netët teke të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. Profeti a.s., duke iu dedikuar më shumë adhurimit në këto dhjetë ditë të fundit, duke porositur njerëzit drejt një adhurimi më të thellë, si dhe duke bërë personalisht itikaf në këto dhjetë ditë, e tregon më së miri këtë. Vlerësimi i Natës së Kadrit

Kur Allahu me madhërinë e Tij i ka dhënë një rëndësi kaq të madhe kësaj nate, ne duhet medo emos të përgatitemi dhe ta presim atë me nderimet e merituara. Profeti a.s. në një hadith të tijin ka thënë: “Ai që e kalon Natën e Kadrit me adhurim duke besuar me zemër për vlerën e saj, i falen të gjitha gjynahet e mëparshme” (Buhari, Rijadus-Salihin, II, 464).

Le të përmendim disa adhurime me të cilat këshillohen besimtarët për vlerësimin sa më të mirë të kësaj nate:

1. Këtë natë duhen kryer adhurime për hir të Allahut, duhet falur namaz duke e përforcuar ndjenjën e adhurimit.

2. Duhet lexuar sa më shumë Kur’an, të dëgjohet ai që e lexon atë si dhe të meditohet mbi ato ç’ka thotë Kur’ani.

3. Duhet të biem në salavat mbi Profetin tonë a.s., të shpresojmë në shefatin (ndërmjetësimin) e tij, të forcojmë vetëdijen e të qenit nga ymeti i tij dhe të rinovojmë besnikërinë ndaj tij.

4. Duhet të kërkojmë falje e mëshirë nga Allahu, të bëjmë vetëllogari dhe të bindim veten të kthehemi drejt rrugës së drejtë.

5. Të bëjmë sa më shumë dhikër (përkujtim) e të meditojmë, pasi vetëm me përkujtimin e Allahut gjejnë shpëtim dhe prehje zemrat.

6. Të lutemi sa më shumë, sepse duaja është mjeti që e afron më shumë njeriun me Zotin e tij. Transmetohet se Profeti ynë i nderuar a.s. në këtë natë e ka këshilluar Aishen të bëjë këtë dua: “Allahumme inneke afuuun, tuhibbu’l-afue fa’fu anni” {Zoti im! Ti je Falës, të pëlqen të falësh, më fal dhe mua!}

7. Në këtë natë të shenjtë duhet të kërkojmë prej Allahut të falë të gjithë besimtarët. Të lutemi që kjo natë të bëhet faktor për forcimin e dashurisë dhe vëllazërisë, për bashkimin e botës islame dhe për ruajtjen e gjithë njerëzimit nga fatkeqësitë.