e Dielë, 25 Qershor 2017 | Lajme: 0

Kurbanat e hekurudhave

12011157_531200877055505_667114810544605073_n

Bashkim Aliu

 

Nuk është e pazakontë që, këto disa vite të fundit, muslimanët të presin me ankth edhe festat, ngase zhvillimet në vendet muslimane, të bëjnë të tërqethesh dhe të mendosh se çdo ditë e re që vjen, sjell me vete të panjohura, të cilat sido që të jenë, kanë një emërues të përbashkët, janë të dhimbshme për muslimanët, si dhe për çdo njeri që ka ndërgjegje dhe njerëzi. Në rastin e protestuesve në mejdanin Rabia el-Adevije, muslimanët prisnin me ankth se çka do të ndodh me ata njerëz pas kalimit të fitër bajramit, ndërkaq tash, e presin këtë festë duke ndjerë dhimbje sa herë që therret kurban, ngase i kujtojnë kurbanat e regjimit kriminel të Sirisë, të cilët duke ikur nga kasaphanet e regjimit sirian dhe veglave të tij të shndërruar në grupe luftuese gjoja opozitare, ranë në kasaphanet e hekurudhave të Europës dhe detërave, prej ku ata ia kishin mësy botës për të shpëtuar nga krimet regjimit antinjerëzor sirian. Nga vuajtjet në vuajtje, ky është përkufizimi më i shkurtë dhe më i saktë për këmbësorët nëpër hekurudha, të cilët duke ikur nga një tmerr, ballafaqohen me tmerre tjera, ballafaqohen me tmerre të lakmuesve të profitit dhe pasurisë, të cilët nuk pritojnë aspak që ta shfrytëzojnë edhe tragjedinë e refugjatëve sirianë, për t’u pasuruar. Kështu, agjensitë e ndryshme informative raportojn se në vendet nëpër të cilët kanë kaluar refugjatët, janë bërë plaçkitje të tyre, si plaçkitje klasike përmes dhunës, ashtu edhe përmes çmimeve astronomike për gjërat ushqimore dhe transport, që u janë ofruar refugjatëve. Veç kësaj, mos të flasim për pamjet tronditëse të sjelljeve shtazarake të organeve të sigurimit dhe sjelljes së tyre brutale me refugjatët, të cilat u emituan nga mediume të ndryshme, derisa refugjatët tentonin të kalonin nga nji shtet në nji shtet tjetër, apo të futen në një shtet. Poashtu, nga njohës të ndryshëm të rrethanave të refugjatëve dhe ndjekës të rrugëtimit të tyre, të cilët kanë kontaktuar me më tepër refugjatë, janë ngritur dyshime edhe për shfrytëzimin e refugjatëve për të tregtuar me organe njerëzish, gjegjësisht, dyshohet se ka patur raste kur refugjatët janë zënë, u janë marrur organet të cilat më pas u janë shitur njerëzve tjerë të cilët kanë qenë të nevojshëm, e më pas, trupat e këtyre të ngratëve refugjatë, kanë mbaruar në hekurudha, duke u paraqitur si viktima të komunikacionit hekurudhor, të cilët sipas raporteve të policisë, nga lodhja dhe pagjumësia, nuk e kanë dëgjuar trenin, dhe kanë rënë viktimë e tij.
Shiquar nga një prizëm tjetër, kriza e refugjatëve sirianë, duket të jetë mënyrë për shpëtimin e ndërgjegjës së vdekur njerëzore në rastin e krimeve mbi njerëzimin që po ushtrohen në Siri, ngase alarmimi i krizës me refugjatë, e tërhek vëmendjen nga tragjedia nëpër të cilën kalon populli sirian. Pra, sot dëgjon për kriza me të cilat ballafaqohen shtetet nëpër të cilët qarkullojnë refugjatët sirianë, dëgjon për masa të shteteve për gjoja t’u mbrojtur prej fluksit të madh të refugjatëve, kritika të ndërsjellja mes shteteve për mbylljen e kufijve, pajtimet dhe mospajtimet e shteteve anëtare të UE për akomodimin e refugjatëve, për fatin e zonës SHENGEN, etj., por fare pak dëgjon për thelbin e problemit, vuajtjet dhe krimet që ushtrohen mbi popullin sirian. Kështu, hartuesit e hartave të reja dhe të imazhit të ri të rajonit të lindjes së afërt ku dominojnë shtetet me shumicë muslimane, mendojnë se arrinë të marrin frymë lirshëm nga mallkimet e të mbyturve në detëra me maune, gomone dhe anije, si dhe hekurudha, të cilët i mallokojnë ata që i neglizhuan zërat e tyre për ndihmë dhe drejtësi, bile edhe më tepër se kaq, të cilët i shndërruan fatet e njerëzve në eksperiment të planeve dhe strategjive të tyre gjeopolitike dhe demografike, duke ua marrur mendja se me këtë, disi kanë arritur të fshihen pas murit të amnestisë. Problemi real i Sirisë është dhuna dhe shfarrosja që po e ushtron pushteti mbi popullin, diktatura dhe gjenocidi i regjimit mbi popullin, e që pastaj për rrjedhojë është paraqitur edhe kriza e refugjatëve, e cila sipas shumë analistëve, në këto përmasa, duket të jetë e sajuar për të arritur disa qëllime palë të ndryshme. Vëmendjen nga kjo dhunë nuk mund ta largojë as propaganda e pushtetit për luftën kundër terrorizmit dhe as hapësira e madhe mediatike që u jepet veprimeve të ISIS-it në Siri dhe Irak, ngase e gjithë kjo është e orkestruar nga qarqe politike për ta lënë nën hije problemin e vërtetë të tragjedisë siriane diktaturën e pushtetit dhe llogaritë e kampeve politike. Vrasja e nji gazetari apo pengu nga ISIS, nuk është më tërqethëse se vrasja e qindra njerëzve për çdo ditë nga ana e regjimit të Asadit, ndërkaq, vëmendja e opinionit në veçanti është drejtuar kah veprimet e ISIS-it.
Në këtë kontekst, duhet përmendur edhe atë se është shumë e logjikshme të ngrihen dyshime edhe për këtë fluks të madh refugjatësh, pikërisht në këtë kohë, edhe pse lufta në Siri ka filluar më herët, dhe tash i ka mbushur pesë vjet. Pse deri tash nuk pati flukse kaq të mëdha refugjatësh sirianë, a po mos vallë fluksi kaq i madh i refugjatëve, flet se diçka është gatuar në kuzhina të huaja, edhe pse nuk mohohen vuajtjet e sirianëve dhe refugjatëve tjerë, dhe tentimi i tyre për të shpëtuar nga krimet. Këtu domosdo ballafaqohemi me llogarinë demografike që e kanë patur parasysh planifikuesit e mundshëm të këtij tmerri, edhe atë në dy plane: si në planin e brendshëm të vetë Sirisë, duke e shprazur atë nga muslimanët sunit në veçanti, poashtu edhe në planin e jashtëm, gjegjësisht në raport me vendet të cilat do t’i pranojnë refugjatët, e që do të duhej me këtë të zbuteshin probleme të natyrës demografike, nga të cilat vuajnë shumë shtete evropiane. Këtu nuk duhet përjashtuar as llogaria kulturore dhe asimiluese, e cila nuk ka pse të mos jetë në përllogaritje.
Ky kurban bajram po kalon në shenjë të krizës me refugjatët dhe kurbanat e hekurudhave, e që me kalimin e tij, nuk duket se do të kalojë edhe kjo krizë dhe nuk do të ndalen krimet mbi popullatën e Sirisë, si dhe planet famëkeqe kundër tyre. Megjithatë, ngelet shpresa më e madhe te Krijuesi, i Cili është me të drejtit dhe durimtarët, si dhe ua prish lajkat lajkatarëve.