e Martë, 12 Dhjetor 2017 | Lajme: 0

Tetova e ndotur dhe e heshtur

Flakron Bexheti

Flakron Bexheti

Sot  është e pamundur të takohesh me dikend dhe t’i shmangesh bisedës për ajrin e ndotur të Tetovës dhe rrethinës së saj. Ndotja e këtij vendbanimi që dikur ishte sinonim i qytetit më  të pastër që diti ta krijojë vetën natyra e zoti këtu rrëzë  Malit Sharr, në rrafshin e Pollogut, është bërë kryefjala e çdo bisede. Shqetësimi i qytetarëve për këtë ajër të ndotur, sot është preokupimi i të gjitha llojeve të komunikimit.

Edhe në  rrjetetet sociale ky shqetësim është më se i pranishëm. Me një fjalë, ky rrezik i kërcënohet çdo qytetari. Alarmi që troket në ndërgjegjen e gjithësecilit tanimë shënon kulmin e mllefit kundër këtyre helmuesve ,përfshirë edhe Ministrinë e Ekologjisë dhe tërë Qeverinë e cila në vend të marrë masa për mbrojtjen e popullatës, ajo e ndihmon procesin e helmimit, duke i mbrojtur partnerët e vet klientelistë , me vetë faktin se nuk i detyron të marrin masa  për  mënjanimin e kësaj dukurie antinjerëzore, përmes filtrave ,që tanimë janë të njohur për këtë proces.  Ky ajër i helmuar dita ditës, pamishirshëm po depërton në organizmin tonë, të femijëve tanë dhe po krijon një frikë të papërshkruar.

Çdokush prej nesh, tanimë me anë të frymëmarrjes e kupton se ajri që ne thithim, është i ndotur dhe me grimca helmuese që  depërtojnë në organizmin tone e  që manifestohet me kokëdhimbje, kollitje , lodhje dhe shumë simptome  tjera që paraqiten vazhdimisht. Sot shumë instiucione te pavaruara  joqeveritare  shendetësore, dhe organizata tjera , nëpërmjet provave të konfirmuara, na japin të dhëna të detajuara, duke filluar nga shkalla e helmimit, numrit të të prekurve më sëmundje të rënda kancerogjene, aborte të grave shtatzëna etj.  Ky ajër i ndotur  dhe vrastar që ka trokitur në ndërgjegjen tonë, me alarmin për të na vetëdijësuar, sepse bëhet fjalë për jetë a vdekje, si  i tillë nuk vjen nga vetë natyra dhe nuk mund të llogaritet si fatkeqësi elementare por nga faktori njeri , që në këtë rast bëhet vrasës i vetë njeriut. Ambienti i  shëndetshëm me ajër të pastër, si elementi kryesor për  shëndetin tonë, sot kudo në botë është i garantuar edhe i mbrojtur me ligj.

Edhe në Kushtetutën tonë  ekziston  nen i  posaçëm, ku thuhet se të gjithë  qytetarët e gëzojnë të drejtën të thithin ajër të pastër,pra,ligjdhënësi,e ka paraparë se pa një mbrojtje të këtille,jeta e njerëzve rrezikohet seriozisht. Në bazë të këtij neni,çdo lloj ndotje duhet të parandalohet, ndërsa  shkaktarët duhet të sanksionohen me ligj. Pra, në aspektin formal çdo kush e di se edhe ajri i pastër është i mbrojur me ligj. Do ishte çdo gjë në rregull sikur ky ligj të zbatohej, por një gjë e këtillë as që mund të pritet në një të ardhme të afërt,kur mrëfilli dihet se vetë Qeveria si propozuese e ligjeve, jo që nuk e sanksionon moszbatimin e ligjit por përkundrazi,e ndihmon ate, përmes interesave që i cekëm më lartë. Ky problem serioz  i  ka detyruar qytetarët e ndërgjegjshëm që ta ngrenë zërin e  arsyes për të protestuar e demonstruar kundër kësaj murtaje që i vret të gjithë njësoj, pa dallim kombësie,moshe,gjinie e feje.  Organizata  ,,Ecoguerila” që lindi si nevojë e kohës për të rritur nivelin vetëdijes dhe nevojës për të protestuar në forma të ndryshme, ka bërë organizimin dhe sensibilizimin e qytetarëve që t’kundërvihen kësaj dukurie tronditëse për Tetovën dhe rrethinën e saj.

Ky organizim në formën më civilizuese arriti të tubojë shumë  përkrahës, si: studentë, profesorë, këngëtarë,dhe qytetarë tjerë të të gjitha shtresave,pa dallim përkatësie etnike e fetare. ,, Ecoguerila” me udhëheqësit e saj dhe përkrahësit që u solidarizuan,  në mënyrën  më të mirë i artikuluan kërkesën për luftë kundër helmit masiv. E tërë kjo lëvizje hasi në vesh të shurdhër të Institucioneve qeveritare , madje përmes obstruksioneve, edhe  me tendencë minimizimi, duke e paraqitur si shumë të vogël numrin e pjesëmarrësvë, për të ndikuar në dekurajimin e protestuesve.

Kërkesat ishin mjaftë të arsyeshme, dhe aspak me tendecë politike. Në mesin e protestuesve  vërehej edhe nje elitë njerëzish të qytetit tonë të cilët me kapacitetin intelektual të tyre , këtyre protestave i dhanë seriozitet në goditjen e këtij fenomeni që kërcënon vazhdimisht jetët e njerëzve. Në këto tubime mungonin ata që hezitonin, apo ishin të pa informuar sa duhet. Aty munguan edhe ata që nuk donin ta prishnin rehatinë dhe qejfin e tyre, por edhe ata që për ndonjëfarë arësye ia kishin hatrin Qeverisë, apo njerezve të afertë me te. Sidoqoftë, ajri i ndotur dhe pasojat vdekjepruese nuk do t’i kursejnë edhe ato qytetarë qe në vend të revoltës dhe protestës,e kishin zgjedhur heshtjen dhe oportunizmin.  Protestuesit në mënyrën më qytetëruese e më të sinqertë kërkonin zdhidhjen e problemit, burimi i  të cilit ishin oxhaqet që vjellin tymin vdekjeprures te shkritores ,,Jugohrom”. Ata kërkuan vetëm ndalesën e përkohshme, derisa të sigurohen filtrat e nevojshëm që do ta pengonin këtë ndotje aq të rrezikshme.

Fjala popullore “ra ky mort e pamë”, e shpjegon më së mire këtë gjendje të krijuar. Protestat kundër ajrit të ndotur nga Jugohromi, dhe trajtimi i këtij problemi, e zgjoi edhe heshtjen tonë kolektive, e vranë frikën  dhe mos gatishmërinë  për të qenë më të zëshëm, sëpaku kur flitet për shëndetin e femijëve tanë. Është turp që mitingjet partiake që shesin demagogji boshe për të marrë sa më shumë vota, të jenë më masive se protestat me karakter kaq human.

Dhe krejt në fund, edhe një porosi për deputetët e kësaj zone, këshilltarët  e Këshillave, Kryetarët  e komunave të rajonit dhe të gjithë deputetët e Parlamentit të Maqedonisë, në pozitë po në opozitë dhe qevritarët e shtetit,që ta ndërpresin sa më parë fenomenin e vdekjes tinëzare port ë sigurtë. Ende shpresoj se ka njerëz që do e ndegjojnë zërin e arsyes,ashtu qoftë!