Wednesday, 19 September 2018 | Lajme: 31

Peshëngritësit shqiptarë rrezikojnë edhe burgimin

Nga heronjë në tradhtarë. Me shumë mundësi kështu do të konsiderohen 3 pëshëngritësit tanë nëse testet B konfirmojnë përdorimin e dopingut. Jo vetëm në opinion publik, i cili duket se tashmë e ka dhënë verdiktin e tij duke i ndëshkuar sportistët, por edhe në ligjin e parashikuar në raste të tilla, ku Romela Begaj, Daniel Godelli dhe Hysen Pulaku rrezikojnë deri në 2 vjet burgim nëse gjithçka vërtetohet në analizat e dyta.

Në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, neni 197/b është parashikuar mjaft mirë se kush janë dënimet në rast të përdorimit të dopingut në sport dhe në shkruhet shprehimisht : “Shtrembërimi i konkurencës në garat sportive prej pjesëmarrësve nëpërmjet përdorimit të substancave të ndaluara, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 vjet”, citon Ora News.

Ligji daton që prej 27 nëntorit 2011, por askush më parë nuk është dënuar. Kujtojmë që Hysen Pulaku nuk morri pjesë në olimpiadën “Lodër 2012″ pikërisht sepse rezultoi pozitiv ndaj stanozololit dhe u pezullua nga federata ndërkombëtare, por asnjëherë nuk u hetua ashtu si ligji e parashikon.

Nëse Begaj, Godelli e Pulaku rezultojnë pozitiv edhe në testet B, dhe gjasat janë të tilla, atëherë a do të ketë një hetim të gjërë edhe penal që ngjarje të tilla të minimizohen sidomos në një sport ku rezultatet vërtet kanë qënë të larta, por edhe dënimet për përdorimin e substancave të ndaluara nuk kanë munguar aspak. Sigurisht masa e burgimit do të ishte ndoshta ekstreme, por edhe t’ia hedhësh pa lagur ndërkohë që ke mashtruar një komb të tërë duket absurde.

Kujtojmë që sot do të kryhen edhe analizat e dyta për shtangisten Romela Begaj, dhe përgjigjet pritet të dalin pas 7 ditësh, ndërsa për Daniel Godellin dhe Hysen Pulakun këto analiza janë parashikuar të kryhen më 25 të këtij muaji.