e Martë, 23 Maj 2017 | Lajme: 0

Djegia dhe provokimi janë mjete dhunë e jo paqeje

shefqet krasniqi

Dr. Shefqet Krasniqi

Është vërtetë qesharake por edhe ironike tek sheh disa media tona tek reklamojnë një grup të rinjsh tanë, të ashtuquajtur të rinjtë (lexo: të manipuluar) e PDK-ës tek dogjën disa pankarta kinse simbolikë e flamurit të (keq)përdorur nga ISIS. Vërtetë kur pashë aty dëshminë e islamit-shehadetin, të cilit edhe vetë të rinjtë i besojnë, më përshkoi një shqetësim dhe thash me vete: a thua vallë a e kuptojnë këta bijë dhe bija se çfarë po bëjnë, apo thjesht i ka manipuluar dikush, pa bërë asnjëfarë analize a logjikimi?! A thua vallë kjo është hallka tjetër e zinxhirit të provokimeve që disa shkurt-pamës e urrejtje-nxitës kanë ndërmarrë kohëve të fundit kundër muslimanëve në vendin tonë?

Ashtu i shqetësuar shikoja sesi digjej emri i Allahut dhe emri i Pejgamberit Muhamed alejhi selam pa fije mëshire dhe pa asnjë konsideratë, ani pse vetë djelmoshat besojnë në shenjtërinë e këtyre dy emrave. I thash vetes se nuk besoj dhe nuk dua të besoj se këta të rinj e kanë kuptuar se çka shkruan aty se për ndryshe nuk do ta digjnin një fjali të atillë? Jam i vetëdijshëm se politikisht ai ‘flamur’ tingëllon keq, pasi që disa të papërgjegjshëm, injorant e jokompetent po keqpërdorin simbolet e islamit në themelimin e një shteti të fantazuar Islam, e kur shikojmë veprimet e tyre na dalin se ata po ndërtojnë një ‘shtet’ gjakderdhës për vet banorët e vetë, shtet me të cilin po qeshë tërë bota.

Mirëpo, nga ana tjetër, shehadeti është simbol ekskluziv i Islamit e jo i ISIS-it. Ai flamur nuk është zyrtar, atë shtet të vetëshpallur nuk e njeh askush dhe e kanë dënuar të gjithë dijetarët musliman pa-dallim, përfshirë edhe neve. Mirëpo, a nuk tingëllon po ashtu e keqe edhe lëndimi i ndjenjave fetare, nxitja e urrejtjes dhe provokimi. Djegia dhe shkatërrimi a janë mjete ISIS-iane apo demokratike. Deri kur disa nga ne do të behën aq të palogjikë sa të mundohen të shprehin kundërshtinë e tyre ndaj grupeve të ndryshme terroriste me po të njëjtat mjete dhe metoda të vet atyre. Pjesëtarët e ISIS kohë më parë, në mënyrë primitive, digjnin pasaportat dhe dokumentet e Kosovës dhe tash dalin të rinjtë e PDK-së me të njëjtin mentalitet djegin atë që e quajnë ‘flamur’ të ISIS, çfarë ironie!.

Ky artikull nuk synon të përkrahë të vetëquajturin ‘Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit-ISIS’, siç do të mundohen ta keqpërdorin këtë artikull disa portale torollake, por artikulli synon të vë në spikamë se askush nuk ka të drejtë t’i përvetësojë simbolet bazë të islamit, sikur që është shehadeti-dëshmia e të qenit musliman, sepse ky është parimi i parë i besimit islam. Nuk ka dyshim se ISIS nuk i solli asgjë të mirë Botës Muslimane, në veçanti Lindjes se Mesme, përveç trazirave, djegieve, dhunës, gjakderdhjes dhe të qenit në shërbim të të huajve. Mirëpo, përderisa askush nuk ka të drejtë t’i përvetësojë e t’i keqpërdorë simbolet islame sikur shehadeti në këtë rast, gjithashtu askush nuk ka të drejtë të djegë shehadetin-dëshminë pasi që kjo fjali LA ILAHE IL-ALLAH MUHAMED RESULULLAH (nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Tij), në fakt, është fjalia më e ëmbël dhe më e shtrenjtë.

Fjali kjo për të cilën është krijuar toka dhe qiejt, pa të cilën nuk do kishte jetë në këtë gjithësi. Fjali kjo pa të cilën nuk mund të konsiderohej musliman askush, pa të cilën nuk hapen dyert e Xhenetit. Fjali kjo e cila flenë në zemër të çdo muslimani, pavarësisht keqpërdorimeve të saj. Në fjalorin tonë fetarë nuk ka fjali më të shtrenjtë dhe më të shenjët sesa La ilahe il-Allah, ndaj edhe nuk ka diçka që i provokon muslimanët më shumë sesa tallja, nënçmimi, nëpërkëmbja dhe përbuzja e kësaj fjalie. Me pohimin dhe besimin e kësaj fjalie njeriu hyn në fe dhe me mosbesimin dhe mohimin e saj njeriu del prej feje/Islamit.

Nuk arrijmë ta kuptojmë dot ‘iritimin’ kaq të madh të rinis së PDK-ës në lidhje me veprimet e ISIS, kur dihet se veprimet e tyre i kanë dënuar të gjithë shqiptarët e të gjithë muslimanët. Madje të gjitha autoritetet fetare në Kosovë, Ballkan e më gjerë, kanë dhënë qëndrimin e tyre në lidhje me veprimet e atij grupi njerëzish, duke mbajtur qëndrim kundër ISIS dhe duke u distancuar nga çdo veprim i tyre që e bëjnë padrejtësisht në emër të Islamit.

Për fund, nëse dikush dëshiron të kundërshtoj veprimet e dhunshme të dikujt të mos përdorë mjete dhune dhe urrejtje-nxitëse, djegia e fjalës La ilahe il-Allah nuk nënkupton kundërshtim i ISIS-t sepse shehadeti është simbol i Islamit e jo i ISIS-t. Ai padrejtësisht por keqpërdoret nga ISIS. Rinia e PDK-ës ka qindra e mijëra metoda tjera për ta kundërshtuar ISIS, sikur se shpërndarja e ndonjë ligjërate, fletushke apo libri në të cilin paraqitet realiteti i atij grupi, qëndrimet e dijetarëve musliman dhe jo-musliman karshi atij grupi, pastaj qëndrimi i Islamit ndaj shenjtërisë së gjakut të njeriut, tolerancës së Islamit e të ngjashme.

Andaj të rinjtë tanë të mos bien viktimë e disa udhëheqësve të padenjë politik, të cilësdo parti qofshin, e të mundohen të behën “më katolik se papa”, kinse ata po i prijnë punëve të hairit në shërbim të atdheut. Jo të nderuar, nuk shërbehet atdheu e shoqëria duke provokuar shumicën e banorëve të vendit, dhe vetveten në këtë rast, pasi që edhe ata djem e vajza vet janë muslimanë. Ekzistojnë forma tjera më të mira, më të mençura, më demokratike dhe më të ndershme për t’i shërbyer atdheut. Djegia është rrënim, mjet i dhunës e jo shërbim e as simbol i paqes.

Lus Zotin fuqiplotë që ky gjest i indoktrinuar politik të mos përsëritët më dhe ata djem e vajza të pendohen për mëkatin që kanë bërë, madje nëse e kanë ditur se çka shkruan në atë flamur dhe e kanë bërë me paramendim kjo i vë në pikëpyetje dhe besim dhe fenë e tyre, e nuk ia vlen barra qiran.

Edhe pse disa portale torollaqe vazhdojnë të deformojnë çdo reagim që erdhi kundër kësaj djegie të panevojshme, megjithatë, falë Zotit, reagimet ishin të shpejta nga shumë njerëz të mençur e të ndershëm, duke filluar nga kryesia e BIK-ut e deri tek intelektualë dhe politikan të ndyshëm. Madje, e konsideroj akt të mirë takimin e disa djelmoshave të atij grupi nga të rinjtë e PDK-së me Muftiun e Kosovës, Mr. Naim Ternava, ku në një farë mënyre pranuan se ganë gabuar. E kush nuk është gabimtar në këtë botë!, por gabimtari më i mirë është ai që pendohet apo largohet nga gabimi. Ata djem u tërhoqën dhe bënë mirë, por lus dhe u kërkojë të gjithëve mos ti perserisim veprimet e këtilla, sepse ato më së paku i shërbejnë vendit dhe shoqërisë sonë.

Zoti na drejtoftë e na udhëzoftë të gjithëve, i madhi Zot e ruajt këtë popull e këtë vend nga çdo mendim dhe veprim i lig që bëjnë njerëzit. Amin, ve selam alejkum – paqja, mëshira dhe rehatia gjithmonë qoftë mbi vendin tonë.