e Mërkurë, 28 Qershor 2017 | Lajme: 1

Rrëfimi tronditës i 17-vjeçares që mbahet skllave nga ISIS

Çfarë më bënë? Kam shumë turp ta tregoj por nuk di as fjalët si ta përshkruaj martirizimin tim. Por, lutem që vuajtjet e mia dhe të mikeve të mia të largohen”.

“Mayat”, do ta quajmë kështu, është 17 vjeçe por ka zërin e një fëmije. 3 gushtin që kaloi, gjatë një ofensive të xhihadistëve kundër Sinjarit u rrëmbye nga ushtarët e ISIS. Nga atëherë, bashkë me shoqe të tjera që ashtu si ajo i përkasin sektit yazidi u mbajt e burgosur në një fshat në fushat e Ninives në jug të Mosulit. Arritëm të kontaktojmë me të nëpërmjet celularit të prindërve të saj që ndodhen në një nga kampet e refugjatëve në jug të Kurdistanit iraken. “Mayat” flet pak anglisht që kishte filluar ta mësonte sepse dëshironte që të shkonte të punonte në Gjermani. Në intervistën në vijim ajo tregon vuajtjet në robëri ndërsa shpesh herë zëri i hollohet dhe fillon të qajë me ngashërim.

“Ju lutem, mos e shkruani emrin tim sepse jam shumë e turpëruar për atë që më ndodhi. Është një pjesë e imja që kërkon të vdes që në këtë moment, të shtrihem në tokë dhe të qëndroj aty përjetë. Por, është dhe një tjetër pjesë e imja që kërkon që të luftoj dhe për të shpëtuar dhe për të patur mundësi të përqafoj sërish prindërit e mi. Është kjo pjesa që më jep forcë dhe që po flas me ju.

Ku ndodheni tani?

Nuk e di quhet qyteza ku na kanë dërguar sepse mbërritëm natën dhe sepse akoma jemi të mbyllur në një shtëpi të madhe me dritare gjithmonë të mbyllura nga nuk mund të dalim sepse janë të ruajtura nga njerëz të armatosur.

Ju lënë të përdorni celularin?

Në ditët e para kur të shohin me celular në dorë ta rrëmbejnë dhe sekuestrojnë menjëherë. Ndërsa më vonë rojet tanë ndërruan strategji dhe na thanë që mund t’ua tregojmë prindërve tanë çfarë po na ndodh dhe çfarë po na bëjnë. Qeshin me ne sepse e kujtojnë veten të pamposhtur dhe ndihen mbinjerinj. Por, janë vetëm njerëz pa zemër.

Mund të të pyes çfarë ju bëjnë?

Abuzojnë me ne.

Sa jeni?

Në shtëpinë e madhe jemi nja 40. Dhe jemi të gjitha viktima. Rrëmbyesit tanë nuk kursejnë as edhe ato që kanë ndonjë fëmijë të vogël me vete. Nuk shpëtojnë as fëmijët. Disa nga ne nuk i kanë mbushur akoma 13 vjeç. Janë ato që reagojnë më keq nga kjo shpifësirë. Janë disa që kanë pushuar së foluri. Njëra që i shkuli flokët e morën  me vete.

Ku ju dhunojnë?

Në katin e fundit të shtëpisë. Janë 3 dhoma për torturat. Janë dhomat e tmerreve.

Ju dhunojnë shpesh?

Ndodh edhe tre herë në ditë. Na trajtojnë sikur jemi skllave. Na dërgojnë tek burra gjithmonë të ndryshëm. Disa vijnë direkt nga Siria. Na kërcënojnë dhe na rrahin kur kërkojmë të rezistojmë. Shpesh dua që të më rrahin aq fort sa të vdes. Por janë frikacakë edhe në këtë pikë. Askush nuk ka guxim t’i japë fund dhimbjes sonë.

Cilët janë përdhunuesit tuaj?

Nuk e di. Disa janë të moshuar, të tjerë janë të rinj. Disa kanë rroba ushtarake, të tjerë veshin rroba arabe ndërsa disa kanë rroba normale. Gjatë natës edhe rojet na hidhen sipër.

Ku e gjen forcën për të shpresuar?

Ma japin kujtimet e asaj që ishte jeta ime përpara se të fillonte ky makth. Është edhe dashuria e prindërve të mi me të cilët flas shpesh. Por, ndonjëherë kam idenë se nuk mundem më. E ndiej që edhe nëse një ditë kjo torturë do të përfundojë, jeta ime do të jetë e shënuar nga kjo që po vuaj këto javë. Edhe nëse duhet të mbijetoj, nuk e di si t’i fshij nga mendja ime këto skena tmerri. Kjo është arsyeja përse dua të vdes në moment. Në fillim u kërkojmë gardianëve tanë të na vrasin menjëherë. Por, ne jemi shumë të shtrenjta për ta. Disa nga ne kanë provuar të varin veten por asnjëra nuk ia ka dalë.

E di që gratë yazidi të rrëmbyera nga Shteti Islamik janë rreth një mijë. Dhe që shumë nga këto janë konvertuar në islame, që të tjera janë shitur për 1 mijë dollarë si skllave në tregjet e seksit ne Mosul dhe që të tjera janë bërë gratë e ndonjë xhihadisti në Siri?

Nuk e dija që jemi kaq shumë që e vuajmë këtë kalvar. Siria është një nga kërcënimet e gardianëve tanë. Na thonë që nëse nuk bashkëpunojmë do na dërgojnë në Raqqa. Por pas asaj që përballojmë këtu na tremb ideja që të përfundojmë në Siri. Një javë pasi erdhëm këtu, mbërritën 3 burra shumë të këqij që na ekzaminuat një nga një, duke na prekur kudo në trup përpara të gjithëve duke na tmerruar me një thikë. Pas një ore morën me vetë rreth 15 prej nesh. Nuk e di ku përfunduan.

Sipas autoriteteve irakene janë dhe disa gra kristiane të rrëmbyera. Ju rezulton kështu?

Mund të ketë por, këtu tek ne janë të gjitha yazidi dhe vijmë të gjitha nga Sinjar. Të gjithë këta përsërisin vazhdimisht se jemi gra “të pandershme” sepse nuk jemi myslimane ndaj na mbajë si plaçkë lufte. Na krahasojnë shpesh me dhitë që blihen në tregun e gjësë së gjallë.

Nëpërmjet ndërmjetësve sunitë, punonjësit e Kombeve të Bashkuara po përpiqen që tu blejnë disa nga ju në tregjet e Mosulit.

Lum ato që do tu bjerë ky shans. Për mua, e vetmja shpresë është që luftëtarët peshmerga të vijnë dhe të na çlirojnë. Gardianët tanë na thonë se xhihadistët po fitojnë kudo por për fat babai im më mban në korrent me atë që ndodh. E di për shembull për bombardimet amerikanë kundër tyre. Do të desha që amerikanët të nxitojnë dhe t’i heqin qafe të gjithë ose të më hedhin edhe mua një bombë sepse nuk e di dhe sa do të rezistoj. E kanë tashmë trupin tim. Po më vrasin ndërkohë edhe shpirtin. /lapsi.com/