e Mërkurë, 18 Tetor 2017 | Lajme: 0

Misvaku dhe dobitë që ka në trupin e njeriut

Në dy Sahih-ët shënohet se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Sikur të mos druhesha se umeti im do të ngarkohej me diçka që nuk do të mund ta mbante, do t’i kisha urdhëruar që ta përdornin misvakun para çdo namazi.”

Po në dy Sahih-ët thuhet se: “Sa herë që Pejgamberi alejhi selam zgjohej natën, e pastronte gojën me misvak.”

Buhariu sjell një hadith tjetër, sipas të cilit Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Misvaku pastron gojën dhe kënaq Allahun.”
Muslimi nga ana e tij shënon hadithin që tregon se: “Pejgamberi alejhi selam, sa herë që hynte në shtëpi, gjëja e parë që bënte ishte përdorimi i misvakut.”

Ka një mori hadithesh që flasin për këtë temë. Në njërin prej tyre, që është autentik, thuhet se pikërisht pak para se të ndërronte jetë, Pejgamberi alejhi selam përdori misvakun. Ai tha: “Ju kam shqetësuar duke ju nxitur shpesh e shpesh që të përdorni misvakun.”

Misvaku më i mirë është ai prej drurit arak. Është e këshillueshme që ai të mos bëhet prej pemëve të panjohura, se mund të jenë edhe helmuese. Misvaku nuk duhet të jetë shumë i fortë, sepse ashtu mund të dëmtojë smaltin, duke bërë që dhëmbët të jenë të shfaqur ndaj avujve apo gazrave të nxehtë që dalin nga stomaku, ose ndaj çdo lloj papastërtie tjetër. Përdorimi me masë i misvakut pastron dhëmbët, forcon rrënjët e tyre, i jep shëndet gjuhës, parandalon krijimin e gurëzave, i jep gojës (frymës) erë të këndshme, qartëson të menduarit dhe rrit oreksin.

Mënyra më e mirë e mbajtjes së misvakut është duke e futur atë në ujë trëndafili, ndërsa lloji më i mirë i tij bëhet me degëza arre. Autori i El Tejsir-it thotë: “Thuhet se po ta përdorësh misvakun një herë në çdo pesë ditë, ai të pastron kokën nga brenda, të mpreh shqisat dhe shkathtëson mendjen.”

Misvaku është i dobishëm për shumë arsye, si, për shembull, era e këndshme që i jep gojës, forcimi i trysave, pastrimi i këlbazës dhe i shikimit, si dhe parandalimi i kaviteteve. Ai ruan shëndetin e stomakut, qartëson zërin, ndihmon procesin e tretjes, e bën të folurën më të zhdërvjellët, të nxit për leximin e Kuranit, për përmendjen e Allahut dhe për të bërë sa më shumë lutje. Misvaku largon përgjumjen, kënaq Allahun dhe engjëjt dhe shton veprat e mira.
Përdorimi i misvakut është i pëlqyeshëm në çdo kohë, por në mënyrë të veçantë përpara namazit, abdesit, kur zgjohesh nga gjumi ose kur goja mban erë të rëndë, dhe për ata që janë duke agjëruar. Megjithatë, ai është i preferueshëm për të gjithë njerëzit, në çdo çast të ditës.