Wednesday, 12 December 2018 | Lajme: 0

Si u krijua Hava gruaja e pare?

 

Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Jetoi Ademi [alejhis- selam] në xhenet i vetëm. Kjo bëri që ai të mërzitej. Kështu u krijua Havaja nga një brinjë e tij, teksa ishte duke fjetur. Kur u zgjua dhe e pa përkrah tij, e pyeti: ”Kush je ti?”- Ajo ia ktheu: “Jam një grua.” – Ademi [alejhis-selam] e pyeti: “Si të quajnë?” -Havaja u përgjigj: – “Hava.” Ademi e pyeti përsëri: “Përse je krijuar? ” – “Për të qenë prehje për ty.. Le të jetojmë disa çaste nën hijen e komentit dhe analizës së këtij hadithi.
Përse u quajt grua (në arabisht “imre’etun”)?
U quajt grua (“imre’etun”) për shkak se ajo u krijua nga burri (“imru’un”). Kështu e mori emrin nga lloji prej të cilit u krijua. (Në arabisht gjinia femërore formohet duke i shtuar mashkullores një në fund sh.p.)
Përse u quajt Hava? U quajt kështu për shkak së është krijuar nga diçka e gjallë, nga Ademi [alejhis-selam].
Përse u krijua teksa Ademi [alejhis-selam] ishte duke fjetur?
Me qëllim që Ademi [alejhis-selam] të mos ndiente dhimbje, pasi u krijua nga brinja e tij. Kjo bëhej me qëllim që të mos e merrte inat për shkak të dhembjes që ndjeu. Është në natyrën e burrit, që kur ndien dhimbje, inatoset dhe e urren shkakun e dhimbjes. E kundërta është me gruan, sa më shumë dhembje të ndiejë, aq më shumë i shtohet dashuria. Kështu qëllim i krijimit të gruas, ishte që burri të gjejë prehje tek ajo dhe jo që t’i nxijë jetën. Thotë Zoti në Kur’an:
“Dhe nga faktet e Tij është se për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), me qëllim që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.”(Err-Rrum: 21) Siç thamë më sipër, Havaja u krijua nga brinja e Ademit [alejhis- selam]. Përse u krijua nga një pjesë e Ademit [alejhis-selam] dhe jo nga diçka tjetër e veçuar prej tij? Thotë Zoti në Kur’an: “O ju njerëz Kijeni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra.” (En-Nisa: 1) Përse Zoti e konsideron si mirësi diçka të tillë? Kjo me qëllim që Ademi [alejhis-selam] ta dojë Havanë, pasi është një pjesë prej trupit të tij. Për këtë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Gratë janë motrat e burrave.” (Axhluni Keshful Hafa, 2/453) Gjithashtu, porosia e fundit e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ishte: “U këshilloj të silleni mirë me gratë tuaja.” (Ibn Maxhe, 1851) Burrat duhet të sillen mirë me gratë e tyre, pasi diçka e tillë është porosia e fundit e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “U këshilloj të silleni mirë me gratë, pasi gruaja është krijuar nga brinja dhe pjesa më e shtrembër e brinjës është fundi i saj. Nëse ti do të përpiqesh ta drejtosh, do e thyesh dhe nëse do e lësh ashtu siç është, do të mbetet e shtrembër. Prandaj silluni mirë me gratë.” (Buhariu, 3331) Gruaja është krijuar nga një brinjë e krahut të majtë të kraharorit, brinjë që mbron zemrën nga goditjet e jashtme. Që ta mbrojë sa më mirë zemrën, kjo brinjë, duhet të jetë e shtrembër. Me këtë shohim se qenia e kësaj brinje e shtrembër nuk është diçka e keqe, pasi vetëm në atë formë mund ta mbrojë zemrën. Kurse shtrembësia e gruas qëndron në atë se gruaja ka ndjenja më shumë se burri, ndjenja që në shumë raste sundojnë arsyen dhe logjikën. E ka krijuar Zoti në këtë formë, me qëllim që t’i përshtatet misionit të saj në edukimin e fëmijëve. Me hadithin e mësipërm, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] na udhëzon që këto ndjenja nuk duhet t’i ndrydhim dhe t’i imponojmë me forcë mendimet tona. Hadithi nuk është për të treguar që gruaja është e shtrembër në natyrë, por është për t’u treguar burrave se si duhet të sillen dhe si t’i trajtojnë këto ndjenja, të cilat janë të përshtatshme me misionin e gruas në jetë. Nëse kërkon që gruaja të jetë e dhunshme dhe e ashpër, diçka e tillë është kundër natyrës së saj.

SHKEPUTUR NGA LIBRI “HISTORIA E PROFETEVE”