Wednesday, 12 December 2018 | Lajme: 0

Dita e xhuma, ditë adhurimi

 

Hafidh Ibën Kethir (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Është quajtur e xhumaja me emrin “Xhuma”, sepse ajo e ka prejardhjen – buron prej grumbullimit (që bëhet atë ditë). Pasuesit e islamit grumbullohen çdo javë në këtë institucion të madh. Allahu i Madhëruar i urdhëron besimtarët që të grumbullohen për ta adhuruar Atë. I Lartësuari thotë: “O ju që keni besuar! Kur të bëhet thirrja për falje ditën e xhuma, nxitoni me zell te përkujtimi i Allahut.” [Xhumua,9]. Që do të thotë: Përkushtojuni me devocion dhe ngazëllim shkuarjes në xhami për faljen e xhumasë, e nuk është për qëllim ecja me ngutje dhe nxitim, pasi për mospëlqimin e kësaj të fundit ka ardhur argument i qartë. El Hasani thotë: “Jo, pasha Allahun, nuk është për qëllim nxitimi i këmbëve, pasi nuk na lejohet të shkojmë për faljen e namazit, por veçse me qetësi dhe përulje; por për qëllim është: të nxituarit me zemër, me nijet dhe me frikërespekt.”[2] Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Dita e xhuma është ditë adhurimi dhe vlera e saj në krahasim me ditët e tjera është si vlera e muajit të Ramazanit ndaj muajve të tjerë. Ndërsa ora në të cilën në të pranohet lutja është si nata e Kadrit në Ramazan.”[3]

Prej mirësive të ditës së xhuma

1. Ajo është dita më e mirë.

Transmetohet nga Ebi Hurejra, nga i Dërguari i Allahut (alejhis selam) se ka thënë: “Dita më e mirë në të cilën lind Dielli është dita e xhuma. Ajo është dita në të cilën është krijuar Ademi (alejhis selam), në këtë ditë është futur në xhenet  dhe në këtë ditë ka dalë prej tij. Dhe nuk ka për t’u bërë Kiameti veçse në ditën e xhuma.” [4]

2. Përfshirja në të e namazit të xhumasë, i cili është prej obligimeve më madhore të fesë islame dhe prej grumbullimeve madhështore të muslimanëve. Kush e lë atë me shpërfillje Allahu i Madhëruar ia vulos atij zemrën; ashtu siç ka ardhur edhe në hadithin e saktë të cilin e transmeton Muslimi.

3. Në të është një orë në të cilën pranohet lutja.

Transmetohet nga Ebi Hurejra  se ka thënë: I Dërguari i Allahut (alejhis selam) ka thënë: “Me të vërtet në ditën e xhuma është një orë të cilën nuk e prezanton ndokush prej myslimanëve, e duke qenë në namaz ai i drejtohet Allahut me lutje, veçse Ai do t’ia jap atë për të cilën ai lutet.” [5] Ibnul Kajim pasi përmend mospajtimin për përcaktimin e kësaj ore thotë: “Dominojnë në këtë çështje dy mendime, të përftuara prej haditheve të sakta: E para: Ajo orë është prej uljes së imamit e deri në përfundim të namazit, duke u argumentuar për këtë në hadithin e Ibën Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ku transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ajo orë është ndërmjet uljes së imamit dhe përfundimit të namazit”[6] Ndërsa fjala e dytë: Ajo orë është pas ikindisë, e ky është mendimi më i saktë.[7]

4. Sadakaja në këtë ditë është më e mirë se sadakaja e dhënë në ditët e tjera.

Ibnul Kajim thotë: “Sadakaja e dhënë në këtë ditë në krahasim me ditët e tjera të javës është si sadakaja e dhënë në muajin e Ramazanit në krahasim me muajt e tjerë.” Në hadithin e Keabit transmetohet: “Dhe sadakaja në këtë ditë është më madhështore në krahasim me sakadanë e dhënë në ditët e tjera.”[8]

5. Ajo është festë e cila përsëritet çdo javë.

Nga Ibën Abasi  transmetohet se ka thënë: I Dërguari i Allahut (alejhis selam) ka thënë: “Me të vërtetë kjo ditë është festë. Allahu i Lartësuar e bëri këtë për besimtarët. Kush vjen ditën e xhuma le të lahet.” [10]

6. Ajo është ditë në të cilën fshihen të këqijat.

Nga Selmani transmetohet se ka thënë: I Dërguari i Allahut (alejhis selam) ka thënë: “Pastaj falet aq sa ia ka caktuar Allahu, e kur imami fillon të ligjërojë dëgjon me vëmendje, veçse i falen atij të këqijat ndërmjet asaj xhumaje dhe xhumasë tjetër.”[11]

7. Kush ecën për në xhuma, për çdo hap që bën ka shpërblimin si të kishte agjëruar dhe falur namaz një vit.

I Dërguari i Allahut (alejhis selam) ka thënë: “Kush lahet dhe bën që të lahet në ditën e xhuma, shkon herët dhe nxit për shkuarjen herët, si dhe i afrohet imamit dhe e dëgjon me vëmendje; për çdo hap që ai hedh ka shpërblimin e agjërimit të një viti dhe shpërblimin e namazit të natës të një viti. Dhe kjo për Allahun e Madhëruar është shumë e lehtë.” [12]

8. Vdekja ditën e xhuma apo natën e saj është prej shenjave të përfundimit të mirë.

I Dërguari i Allahut (alejhis selam) ka thënë: “Nuk vdes ndokush prej muslimanëve ditën e xhuma apo natën e xhuma, veçse Allahu i Madhëruar e mbron atë nga sprova e varrit.”[13]

Dispozitat dhe rregullat e ditës së xhuma

1. Është e pëlqyeshme që imami në sabahun e ditës së xhuma të lexoi të plota suret “Es Sexhde” dhe “El Insan” ashtu siç vepronte edhe i Dërguari i Allahut (alejhis selam).

2. Është e pëlqyeshme që njeriu në këtë ditë t’i shtojë salavatet mbi të Dërguarin e Allahut (alejhis selam).

3. Namazi i xhumasë është obligim për çdo mysliman mashkull, i lirë nga robëria, që ka arritur pjekurinë dhe që është vendas.

4. Larja (gusli) në ditën e xhuma është prej udhëzimit të të Dërguarit të Allahut (alejhis selam). I Dërguari i Allahut (alejhis selam) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush të vij për në xhuma, le të lahet.”

5. Parfumosja me erë të mirë, përdorja e misvakut dhe veshja e rrobave më të mira është prej edukatës së myslimanit në ditën e xhuma.

6. Është e pëlqyeshme shkuarja herët për në namazin e xhumasë dhe kjo është sunet i cili thuajse është lënë në harresë, e Allahu e mëshiroftë ripërtëritësin e tij.

7. Është e pëlqyeshme që myslimani në këtë ditë të jetë i preokupuar me namaz, dhikër dhe me leximin e Kuranit derisa të dalë imami për të ligjëruar.

8. Është detyrë heshtja si dhe qenia i vëmendshëm gjatë ligjëratës.

Argument për këtë është fjala e të Dërguarit të Allahut (alejhis selam): “Dhe kush flet, atëherë ai prej xhumasë nuk përfiton asgjë.”[14]

9. Është e pëlqyeshme leximi i sures “El Kehf” në ditën e xhuma.

Kjo duke u bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut (alejhis selam): “Kush e lexon suren “El Kehf” në ditën e xhuma i jepet atij shkëlqim prej drite ndërmjet dy xhumave.”[15]

10. Është i urryer veçimi i ditës së xhuma me agjërim dhe i natës së saj më namaz nate.

Argument për këtë është fjala e të Dërguarit të Allahut (alejhis selam): “Mos e veçoni natën e xhuma më namaz nate dhe mos e veçoni ditën e saj me agjërim nga ditët e tjera, përveç nëse ajo qëllon ditë prej ditëve që dikush prej jush agjëron.”[16]

11. Sunetet mbas namazit të xhumasë.

Është transmetuar se i Dërguari i Allahut (alejhis selam): “Ishte që falte pas namazit të xhumasë dy rekate.” [17]Gjithashtu transmetohet se ai (alejhis selam) urdhëronte se kush ishte që u falte në xhami të falte mbas namazit të xhumasë katër rekate.” [18]

12. Nëse myslimani futet në xhami në ditën e xhuma dhe imami është duke ligjëruar, le të fali dy rekate të lehta para se të ulet.[19]

13. Është e pëlqyeshme që imami në namazin e xhumasë të lexojë suret “El Xhumua” dhe “El Munafikun”.

14. Është e ndaluar shitblerja në ditën e xhuma duke u bazuar në Fjalën e Allahut të Lartësuar: “…e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini.” [El Xhumua,9].

Disa prej gabimeve që bëhen në ditën e xhuma

1. Lënia që disa prej njerëzve i bëjnë namazit të xhuma apo shpërfillja që tregojnë ndaj tij.

3. Qëndrimi zgjuar deri natën vonë, gjë e cila bëhet shkak për mos faljen në kohë të namazit të sabahut, e në këtë mënyrë e nisin ditën e xhuma më njërin prej gjynaheve të mëdha (mos faljen e namazit në kohë).

4. Neglizhenca në prezantimin e hutbes së xhuma saqë disa prej njerëzve vijnë gjatë hutbes ose gjatë namazit.

5. Lënia e larjes (guslit) për xhuma, mos parfumosja me aroma të mira, mos përdorimi i misvakut si dhe lënia e veshjeve të rrobave të mira.

6. Shitblerja pas ezanit të xhumasë.

7. Ulja e disa njerëzve në fund duke lënë kështu pa plotësuar rreshtat e parë.

8. Të kërkosh prej dikujt të ngrihet në mënyrë që t’ia zësh vendin.

Argument për këtë është fjala e të Dërguarit të Allahut (alejhis selam): “Të mos e ngrejë ndonjëri prej jush vëllain e tij nga vendi ku është ulur ditën e xhuma, duke synuar t’ia zërë vendin, por me mirësjellje le të thotë: zgjerohuni.” [20]

9. Bezdisja e të pranishmëve, ndarja midis dy vetave si dhe ngushtimi i tyre.

I Dërguari i Allahut (alejhis selam) i tha një personi i cili kalonte mes njerëzve, ndërkohë që ai (alejhis selam) ishte duke ligjëruar: “Ulu, se me të vërtetë dëmtove dhe u vonove” [21]

10. Ngritja e zërit në biseda dhë në leximin e Kuranit.

11. Dalja prej xhamisë pas ezanit pa asnjë arsye.

12. Shpërqendrimi gjatë kohës që imami mban hutben duke mos qenë i vëmendshëm në atë që ai thotë.

13. Lëvizjet e shumta gjatë namazit si dhe të nxituarit për të dalë nga xhamia pas  dhënies së selamit nga imami.

Gabimet e ligjëruesit

1. Zgjatja e ligjërimit dhe shkurtimi i namazit. I Dërguarit të Allahut (alejhis selam) ka thënë: “Zgjatja e namazit dhe shkurtimi i hutbes është prej zgjuarsisë (fikhut) të imamit (d.m.th. prej shenjave të zgjuarsisë së tij). Prandaj zgjateni namazin dhe shkurtojeni hutben. Me të vërtetë prej oratorisë ka edhe mashtrim.” [23]

2. Mungesa e përgatitjes mirë për ligjërim si dhe mos përzgjedhja e tematikës së përshtatshme.

3. Gabimet e shumta gjuhësore.

4. Përmendja nga ana e disa ligjëruesve gjatë ligjërimit (hutbes) hadithe të dobëta, të shpikura e fjalë të pabaza.

5. Kufizimi i disa ligjëruesve në hutben e dytë vetëm me lutje, duke iu bërë kjo gjë zakon.

6. Mungesa e të përmendurit gjatë hutbes ndonjë gjë prej Kuranit.

Bintu Haritheh bin en Numan ka thënë: “Nuk e kam mësuar përmendësh (suren “Kaf, uel kuranil mexhid…” [Kaf] veçse prej gojës së të Dërguarit të Allahut (alejhis selam) pasi ligjëronte me këtë sure çdo xhuma.”[24]

7. Mungesa e ndikimit – influencës (gjallërimit) nga ana e disa ligjëruesve me hutbet e tyre tek pjesmarrësit.

Nga Xhabir bin Abdilah transmetohet se ka thënë: ” I Dërguari i Allahut (alejhis selam) kur ligjëronte i skuqeshin sytë, e ngrinte zërin si dhe ashpërsohej zemërimi i tij, thuajse po lajmëronte ardhjen e ushtrisë (së armikut).”[25] Shkruar nga: Khalid Ebu Salih